Vrasja e Devi Kasmit/Apeli lë në burg Efthimioun e dy të tjerët

schedule14:04 - 22 Shkurt, 2018

schedule 14:04 - 22 Shkurt, 2018

Gjykata e Apelit Tiranës konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” të dhënë nga Shkalla e Parë për Efthimious Efthimiou.

41 vjeçari grek dyshohet të jetë ekzekutori i Devi Kasmit, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 29 janarit pranë spitalit të fëmijëve në Tiranë.

Në seancën e së enjtes, togat e zeza të Apelit refuzuan kërkesën e tij për zbutje të masës së sigurisë. Efthimiou nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, ku u përfaësua nga avokati i tij Saimir Vishaj.

Para treshes gjykuese avokati mohoi përfshirjen e klientit të tij në ngjarje, si edhe pretendoi mungesë provash nga ana e prokurorisë.

Kundër këtij qëndrimi ishte prokurori, i cili tha se hetimi ishte në vazhdim dhe se nuk kishte ndryshuar asnjë rrethanë që mund të sillte nevojën e ndryshimit të masës së sigurisë.

Në të njëjtën seancë, Apeli la të pandryshuar masën e sigurisë edhe për Elton Halipajn dhe Elton Hoxhallarin, të dyshuar si bashkëpunëtorë në vrasje. Burime pranë Apelit bënë me dije se ankimi i bërë nga i prangosuri tjetër për krimin, Malvin Dinellari, do të shqyrtohet në ditët në vijim.

Javën e kaluar Apeli la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” edhe për Mario Meshinin, dëshmitar okular në vrasjen e Kasmit, i cili po hetohet si i përfshirë në ngjarje.

Katër të arrestuarit nga operacioni policor i koduar “Enigma” dyshohet të kenë konsumuar veprat penale të “vrasje me paramendim”, në bashkëpunim, “armëmbajtje pa leje” dhe “prodhim dhe shitje të lëndeve narkotike”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!