Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Denis Demirin dhe Ardian Serezin, dy të arrestuarit si autorë të ekzekutimit të biznesmenit Memli Begalla. Sipas prokurorisë, vrasja ka për motiv një konflikt mes tij dhe Serezit, të cilit i premtoi ta nxirrte nga burgu në vitin 2014. Zbulohet pakujdesia që identifikoi autorët.
Një premtim i pambajtur për nxjerrjen nga burgu duket se ka qenë zanafilla e vrasjes së biznesmenit Memli Begalla, mbrëmjen e 14 shkurtit në Tiranë.
Ky ka qenë një nga pretendimet e prokurorisë së Tiranës në seancën gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj dy të dyshuarve si autorë të vrasjes, Denis Demiri dhe Ardian Serezi. Burime brenda seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura, bënë me dije se gjatë leximit të kërkesës për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, prokurori ka pohuar se konflikti mes një prej të arrestuarve dhe biznesmenit të vrarë ka nisur në vitin 2014. Ishte koha kur Ardian Serezi u arrestua si i përfshirë në trafikimin e një sasie prej gati një ton kanabis sativa në aksin Gjirokastër-Tepelenë.
Sipas hetimit, Begalla i kishte premtuar Serezit se do ta ndihmonte për të dalë nga qelia, premtim që duket se është shkelur prej tij. Por prokurori ka theksuar se në hetim janë edhe pista të tjera, si ajo e konflikteve për borxhet.
Ndërsa identifikimi i Demirit dhe Serezit si autorë të ngjarjes është realizuar nga kqyrja e kamerave të sigurisë në zonën e vrasjes, për shkak të pakujdesisë të njërit prej tyre. Autorët kanë pasur kapuçë në kokë, si në pamjet e publikuara ekskluzivisht nga “ABC News”. Por teksa kanë qenë në ndjekje të biznesmenit, Demiri ka hequr kapuçin për një cast, moment që është fiksuar nga kamerat e sigurisë të një lokali pranë sheshit “Willson”.
Në sallën e gjyqit dy të dyshuarit nuk kanë dhënë asnjë shpjegim, duke lënë avokatët e tyre të kërkonin një masë më të butë sigurie, duke vënë në dyshim provat e prokurorisë.
Pasi u njoh me pretendimet e palëve gjykata vendosi lënien e tyre në masën e sigurisë “arrest në burg”. /abcnews.al