Vrasja e Azem Hajdarit, prokuroria kërkon 25 vite burg për Izet Haxhinë

schedule13:28 - 6 Janar, 2022

schedule 13:28 - 6 Janar, 2022

Prokuroria ka kërkuar dënimin me 25 vite burg për Izet Haxhinë, ish-truprojën e ish-kryeministrit Sali Berisha, për vrasjen e ish-deputetit demokrat Azem Hajdari më 12 shtator të vitit 1998 jashtë godinës së selisë blu.

Pas vrasjes së Hajdarit, Haxhia u arratis për të qëndruar afro dy dekada në Turqi nga ku dhe ekstradua më 8 Maj të 2018. Haxhia është arrestuar nga policia turke në vitin 2006. Ai kërkoi strehim politik në Turqi, me argumentin se i rrezikohej jeta. Atij nuk iu miratua azili po përfitoi një leje qëndrimi për një kohë të pacaktuar, me kushtin që të mos dilte jashtë Turqisë. Për 12 vjet me radhë, autoritetet turke kishin refuzuar transferimin e tij në Shqipëri, por në 2018 Gjykata e Lartë Turke aprovoi ekstradimin dhe ky vendim u pranua edhe nga Ministri Turk i Drejtësisë.

52 vjeçari nga fshati Babinë i Tropojës u dënua në mungesë me 25 vjet burg nga Gjykata e Tiranës për vrasjen e Hajdarit në 29 prill të vitit 2002. Por pas ekstradimit nga Turqia në vitin 2018, ai nisi betejën me drejtësinë shqiptare për një nga ngjarjet më të bujshme të këtyre 30 viteve, vrasjen e Azem Hajdarit.

Shkak u bë kërkesa e Haxhisë për rigjykim. Haxhia dikur ish-truprojë e Berishës kërkoi të përballet në gjyq me dëshmitarët, mes tyre ish- kryeministrin Berisha, për të hedhur dritë sipas tij mbi të vërteta të pa bëra publike më herët në lidhje me vrasjen. Ka qenë Gjykata e Tiranës ajo që rrëzoi kërkesën e prokurorisë për të detyruar ish-kryeministrin Berisha të dëshmojë në në procesin gjyqësor ndaj Haxhisë. Prokuroria arsyetoi se bazuar në mënyrën sesi janë zhvilluar ngjarjet, ka prova për të provuar fajësinë në krim të ish truprojës së Berishës. Për ngjarjen, janë dënuar edhe dy vëllezërit e Haxhisë, Ismet e Isamedin Haxhia, të cilët tashmë kanë shlyer dënimin e dhënë ndaj tyre.

be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!