Vrasja makabre e një 8-vjeçari nga fqinji i tij Klodian Çalamani në Fier ka tronditur vendin. Deputetja e LSI-së Erisa Xhixho thotë se duhet të ishte ngritur zëri më parë që krimineli të mos ishte lënë i lirë.
Sipas saj me mosveprimin e tij shteti është po aq fajtor sa krimineli që i mori jetën të miturit.
“Edhe një fëmijë tjetër tetëvjeçar bëhet viktimë e një krimineli! E çfarë vlere ka të thërrasim sot se krimineli duhet të marrë ndëshkimin maksimal, kur krimineli ishte aty e askush nuk e ngriti zërin më parë, që ai të mos ishte i lirë dhe jashtë mbikqyrjes së organeve të zbatimit të ligjit, të cilat e kanë për detyrë parandalimin e akteve kriminale?! Çfarë krimi makabër! Dhe çfarë turpi për të gjithë ne si shoqëri! Sepse me heshtjen tonë e lamë fëmijën në duart e lira të kriminelit. Sa turp e faj bashkë për shtetin, që me mosveprimin e vet është po aq fajtor sa krimineli në vrasjen e 8 vjeçarit të gjorë, jeta e të cilit nuk mund të shpaguhet me asgjë”, shkruan Xhixho.
Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste, ka dorëzuar nismë ligjore për miratimin e projektligjit për krijimin e regjistrit për të dënuarit për krime seksuale. Kjo sipas saj do të kishte ndikim në uljen e rasteve të abuzimeve seksuale. be.k/abcnews.al