Vrasja e vogëlushit Mateo Vasiu në Fier është një nga ngjarjet më tragjike që ka ndodhur në vendin tonë gjatë ditëve të fundit duke shkaktuar tronditje të opinionit publik dhe jo vetëm
Në një panel të ftuarish këtë të premte në studion e ABC Live me gazetaren Juli Xhokaxhi është diskutuar në lidhje me rolin që politika duhet të ketë në këto raste.
Të ftuarit gjithashtu kanë komentuar edhe deklaratën e ministre së Rinisë dhe të Fëmijëve, Bora Muzhaqi, ku theksojnë se ajo duhet të kërkonte ndjesë dhe duhej të merreshin masa ndaj saj.
Sociologu Gëzim Tushi në fjalën e saj ka deklaruar se është e vështirë të analizosh një situatë të tillë, pasi në vendin tonë duket se problemi lind që nga edukimi i familjes e deri në përgjegjësinë e shtetit.
“Hidhërimi është i madh dhe të gjithë jemi tronditur pafund. Dy rrugë janë të rëndësishme, formimi i qytetarit dhe ligji, kemi në krizë sistemet e edukimit dhe kemi në krizë dhe edukimin në familje, zbutja e ligjit është faktori tjetër. Tre gjera janë shumë keq në vendin tonë kriza e autoriteteve tre janë autoritete që duhet të rregullojmë në një shoqëri, e para është familja, e dyta shkolla dhe e treta shteti”, ka thënë ai.
Ndërkohë analisti Erion Kristo është shprehur se politika nuk ka për detyrë që të bëjë marshime dhe reagime morale pasi këtë e bëjnë qytetarët e thjeshtë por duhet të japin drejtim dhe marrin përgjegjësitë në raste të tilla.
“Bora duhet të jetë shumë e kujdesshme, pasi kur shoqëria mban zi duhet të jemi të kujdesshëm, kur vesh një petk të rëndësishëm, ato që janë në krye të shtetit duhet të përhapin humanizëm. Ka një shpërfillje një indiferentizëm, ne jemi bërë si gogla, por jemi njerëz dhe duhet që të trajtohemi me dinjitet nga shtetarët. Nga shtetarë tanë nuk presim hartime por rezultate. Grupi i famshëm i stër deputetëve çfarë po bëjnë sot për mbrojtjen e këtyre fëmijëve”, ka thënë Kristo.
Deputetja e Partisë demokratike, Orjola Pampuri gjithashtu ka theksuar se e rëndësishme është që institucionet përgjegjëse të marrin masa për raste të tilla.
“Që të bësh gjëra të mira duhet që të kesh ndjeshmëri brenda vetes, pasi nëse dikush n uk ndjen nuk ka çfarë të bëjë. Sot kryeparlamentarja kishte dalë në një marshim, jam dakord por çfarë po ndodh pas këtyre. Kemi folur me mijëra herë dhe nuk ka institucione referimi, unë këtë kërkesë e bëj nën petkun njerëzor. Bora Muzhaqi sot përveç një ndjese duhet që të ishte marrë dhe një masë ndaj saj. Një reagim i tillë, ishte që duhet që të japë dorëheqjen pasi një ministre për Rininë dhe Fëmijët nuk mund të ketë këtë sjellje”, është shprehur deputetja.
I ftuar në ABC Live ka qenë edhe pastori Akil Pano i cili ka theksuar se shumë ngjarje të tilla janë shkak për sjelljen e arrogante të qytetarëve dhe vënia në krye të institucioneve e personave të papërgjegjshëm. /abcnews.al

