Vrasja e 72 vjeçarit në Memaliaj, lihet në burg Blerti Kanushi. Autori 23 vjeçar hesht në gjykatë

schedule11:41 - 25 Gusht, 2024

schedule 11:41 - 25 Gusht, 2024

Shkalla e Parë e gjyqësorit ka lënë në burg pa afat 23 vjeçarin Blerti Kanushi, i arrestuar si autor të vrasjes së Faik Ajdinit pak ditë më parë në Memaliaj. Në arrest shtëpie është lënë Darovi Ajdini, gruaja e Skënder Ajdinit, e cila akuzohet për zhdukje të provave të krimit të rëndë.

Fillimisht ka qenë prokurori Bledar Bala, i cili përgjatë 30 minutave ka sqaruar me detaje rrethanat e ngjarjes së ndodhur në fshatin Zhapokikë 2, ku ka sqaruar dhe dokumentuar me prova materiale veprimtarinë e Blerti Kanushit. 23 vjeçari ka qëndruar përgjatë gjithë kohës i heshtur dhe nuk ka reaguar në asnjë moment, duke ia lënë të drejtën e reagimit avokatit të tij Malo Sadikaj.

Ky i fundit dhe avokati tjetër i të arrestuarës, Agron Iljazi, në fjalën e tyre kanë kërkuar masë më të lehtë sigurie. Më pas kryesuesja e seancës, Entela Selmanaj ka vendosur masën arrest në burg për Blerti Kanushin dhe arrest në shtëpi për Darovi Hajdinin.

Si ndodhi ngjarja?

Sipas policisë së Gjirokastrës, 23-vjeçari në bashkëpunim me Skënder Ajdinin kanë kryer vrasjen me thikë të të moshuarit Faik Ajdini dhe më pas 23-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas kryerjes së vrasjes, Skënder Ajdini dhe Darovi Ajdini kanë zhdukur provat e krimit.

Ndërkohë ka rezultuar se Bledar Ajdini në dijeni të plotë për krimin, ka përkrahur autorin e krimit, duke mos informuar institucionet ligjzbatuese për vendndodhjen e tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!