Personi që shihni në foto është Teilor Tivari, 24-vjeçari i cili goditi me thikë për vdekje 51-vjeçarin Valdon Beqiraj mbrëmjen e së mërkurës në Durrës.
Për ngjarjen e rëndë që ndodhi në lagjen nr.12 të qytetit bregdetar, policia doli me një njoftim zyrtar, ku tha se 51-vjeçari kishte shenja dhune në trup si edhe plagë të shkaktuara me mjetin prerës të cilat i morën jetën.
Policia e Durrësit tha se në pranga përfundoi edhe bashkëpunëtori i autorit të krimit, i cili e ndihmoi që të arratisej nga vendi i ngjarjes.
Zyrtarisht, uniformat blu thanë 21-vjeçari Teilor Tivari ishte futur në apartamentin e viktimës me qëllim blerjen e lëndës narkotike.
Apartamenti rezultonte në emër të një kushërire të viktimës e cila ndodhej në emigrim, në të cilën ai ftonte miq dhe shokë, ku dyshohet se konsumonin alkool dhe drogë.
Gjatë komunikimit dhe qëndrimit në atë apartament, i riu është konfliktuar për motive të dobëta me 51-vjeçarin duke e goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit.
Pas ngjarjes, autori është larguar nga apartamenti duke u ndihmuar nga një 27-vjeçar i cili me taksi e ka dërguar fillimisht Teilor Tivarin në banesë.
Në apartament, viktima u gjet pa shenja jete nga nipi i tij.
51-vjeçari përdorte edhe një emër tjetër, Marko Beqiraj dhe ishte baba i një djali 12-vjeçar. Ai punonte si kamarier me kohë të pjesshme në një lokal në qytetin bregdetar.

