FIER- Tre ditë pas ngjarjes së rëndë ku mbeti u vrarë një 41-vjeçar në Fier, Policia ka gjetur dhe ka sekuestruar një makinë, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët.
Sipas policisë, automjeti ishte fshehur në garazhin e një banesë, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë edhe pronari i banesës, një 70-vjeçar. Gjatë kontrolleve, po në këtë garazh u gjet dhe u sekuestrua edhe një automjet tjetër tip “Benz”, i blinduar, në bagazhin e të cilit u gjet edhe një targë automjeti tjetër.
Të enjten, Elton Javori, 41-vjeçari sapo kishte dalë nga banesa e tij në lagjen “16 prilli” kur u qëllua me armë zjarri në qafë nga Agim Gashi. Ai u dërgua në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.
Po ashtu, për llogari te hetimeve janë sekuestruar armë zjarri, armë gjahu, municion luftarak dhe sende të tjera të kundërligjshme, që do t’i shërbejnë organeve për të hedhur dritë mbi rrethanat e krimit mafioz.
Policia thotë se në banesën, e cila ruhej nga 70-vjeçari janë gjetur 3 celularë të fikur, 4 jelekë antiplumb si të Policisë, 1 armë gjahu teke, 1 armë shotgan, 2 krehra pistolete bosh dhe 1 sëpatë me bisht druri, të dyshuara se mund të jenë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.