Vrasja e 17-vjeçarit nga policia, OKB thirrje Francës të trajtojë problemet e racizmit dhe diskriminimit

schedule14:31 - 30 Qershor, 2023

schedule 14:31 - 30 Qershor, 2023

Organizata e Kombeve të Bashkuara i ka bërë thirrje Francës që të merret seriozisht me problemet e racizmit dhe diskriminimit racial në zbatimin e ligjit, tre ditë pasi një oficer policie qëlloi dhe vrau një të ri.

“Ka ardhur koha që vendi të marrë seriozisht problemet e thella të racizmit dhe diskriminimit racial midis forcave të zbatimit të ligjit,” tha Ravina Samdasani, zëdhënëse e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, gjatë një konference të rregullt për shtyp nga Gjeneva.

17-vjeçari Nael u vra të martën nga një oficer policie gjatë një kontrolli pranë Parisit. Pas tre netësh trazirash në pothuajse të gjithë Francën, “u bëjmë thirrje autoriteteve të sigurojnë që përdorimi i forcës nga policia në kuadër të përballjes me elementë të dhunshëm gjatë demonstratave të bëhet gjithmonë duke respektuar parimet e ligjshmërisë, proporcionalitetit, mosdiskriminimit,  maturisë dhe përgjegjësisë”, theksoi Samdasani.

Ajo shprehu shqetësimin e saj për dhunën që shpërtheu pas vdekjes së adoleshentit. “Ne e kuptojmë se ka pasur shumë grabitje dhe incidente të dhunshme nga disa elementë që po përfitojnë nga protestat për këtë qëllim dhe se një numër i madh policësh janë lënduar”, tha ajo.

Forcat e zbatimit të ligjit në Francë arrestuan 667 persona, ndërsa 249 policë dhe xhandarë u plagosën gjatë së njëjtës periudhë, sipas shifrave zyrtare.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!