Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut po bën thirrje për një hetim nga Izraeli për “krime të mundshme lufte” nga forcat e tij të armatosura në Gaza.
Sipas OKB-së ka marrë informacione alarmante për vrasjen e 11 burrave palestinezë të paarmatosur në Gaza. Ushtarët izraelitë “ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, pastaj qëlluan dhe vranë të paktën 11 burra para anëtarëve të familjes së tyre,” sipas dëshmive të lëshuara nga EuroMed Human Rights Watch.
Agjencia e OKB-së konfirmoi vdekjen e 11 palestinezëve, por sqaroi se rrethanat e vdekjes ende po hetohen.
“Autoritetet izraelite duhet të kryejnë menjëherë një hetim të pavarur dhe efektiv për këto akuza”, tha organizata.
Pas më shumë se dy muaj lufte në Gaza, veprimet e ushtrisë izraelite janë kritikuar gjithnjë e më shumë dhe presioni ndërkombëtar për armëpushim po shumëfishohet.
Fundjavën e kaluar, vdekja e një nëne dhe vajzës së saj, të cilët u vranë nga një ushtar izraelit në oborrin e kishës së vetme katolike të Gazës, dhe ajo e tre pengjeve izraelitë që u vranë aksidentalisht duke valëvitur një flamur të bardhë, nxitën edhe më shumë thirrjet për armëpushim të menjehershëm.
Izraeli thotë se është i hapur ndaj idesë së një armëpushimi, por përjashton çdo armëpushim përpara “eliminimit” të Hamasit, të cilin e konsideron një organizatë terroriste, si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.
Rreth 20,000 njerëz, kryesisht gra, fëmijë dhe adoleshentë kanë vdekur në Gaza që nga fillimi i ofensivës ushtarake izraelite.
/abcnews.al