Stiven Bouquet, i njohur si vrasësi serial i maceve është shpallur fajtor dhe u dënua me 5 vite e tre muaj burg nga gjykata britanike. Bouquet ka vrarë 9 mace dhe ka plagosur shtatë të tjera në rrethinat e Brighton, nga tetori 2018 deri në qershor të 2019-ës.
Gjykatësi i përshkroi si të pamëshirshme gjestet e tij. Para dhënies së dënimit në sallë dëshmuan disa nga pronarët e maceve të vrara. 54 vjeçari Bouquet, vepronte në të njëjtën mënyrë; pasi i vriste macet me thikë, i linte në pragun e derës së pronarit përkatës.
Agjentët e policisë nisën të gjurmonin vrasësin e maceve, pasi kamera sigurie të vendosura nga një banore në zonë, filmuan Bouquet që i afrohej një maceje dhe më pas nxirrte thikën nga çanta. Në telefonin e tij celular u gjetën fotografi të maceve, dhe në thikën që iu gjet në shtëpi, ADN-ja e një prej kafshëve të vrara./abcnews.al