Elvis Shkambi, autori i dyshuar i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit, u ka kërkuar falje me anë të një letre familjarëve të viktimës.
Në letrën prej tetë faqesh, Shkambi shkruan se veprimi i tij ishte i palogjikshëm, por sipas tij, edhe vendimi i gjyqtarit Kalaja ishte skandaloz.
“Ndjej keqardhje shumë të madhe për dhimbjen që u kam shkaktuar, sidomos në raport me tre fëmijët e tij. Ajo që ndodhi atë ditë ishte një reagim i palogjikshëm kundër një vendimi po aq të palogjikshëm.”
Në letrën e tij, Elvis Shkambi është ndalur edhe tek gjyqet ndër vite për pronën, ku thotë se me xhaxhain e tij është bërë padrejtësi.
“Prej 13 vitesh, xhaxhai im, Gjon Shkambi, ishte kthyer në një eksperiment njerëzor nga sistemi gjyqësor. Në një kohë kur unë mundohesha t’i jepja fund këtij ‘eksperimenti’, Gjykata e Apelit vendosi vazhdimin e tij.”
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja nga Elvis Shkambi ndodhi më 6 tetor të këtij viti, brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit, pas një vendimi kundër familjes Shkambi për një pronë në Shkodër. Të plagosur, Elvis Shkambi la edhe palën kundërshtare, Ragip dhe Ervis Kurtaj.
Përveç Elvis Shkambit, në burg për këtë ngjarje ndodhet edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, pasi sipas Prokurorisë ai ka pasur dijeni për veprimet që do të ndërmerrte nipi. Në paraburgim ndodhet edhe Banush Koxhaj, punonjësi i sigurisë së gjykatës, pasi dyshohet për shpërdorim detyre. / abcnews.al /

