Vrapi sqaron maturantët: Testi nuk u bë brenda natës, mund të rishikojmë shpërndarjen e pikëve

schedule15:15 - 12 Qershor, 2020

schedule 15:15 - 12 Qershor, 2020

Drejtoresha e Qendrës Arsimore Rezana Vrapi i ka dhënë një përgjigje maturantëve që kanë dalë ditën e sotme në protestë lidhur me pretendimin se testi me alternativa me të cilin ata i përballën pak ditë më parë kishte pyetje absrakte.

Vrapi tha se nuk do të ketë rivlerësim, por në varësi edhe të rezultateve mund të ketë një mundësi për rishpërndarjen e pikëve, për të bërë një diferencim sipas niveleve.

Vrapi deklaroi se testi është i hartuar nga një grup specialistësh dhe më pas është verifikuar nga një ekip i posaçëm.

“Ky pretendim nuk qëndron sepse testet nuk janë bërë brenda natës. Testet janë ndërtuar me një procedurë të rreptë nga grupe specialistësh me shumë përvojë. Ata janë përgjegjës për hartimin e çdo pyetje për maturën shtetërore. Testi ka disa nivele vështirësie. Të gjitha këto kompetenca janë saktësisht të përcaktuara. Ka një ekip që i harton pyetjet dhe një tjetër që i verifikon. Nëse kanë pretendime për pyetje konkrete jashtë programit.

Ne i kemi sqaruar pse sollëm vetëm alternativa, kjo edhe për shkak të korrigjimit për të shmangur punën në grup të mësuesve për të shpejtuar kështu edhe procesin. Pyetjet nuk vlerësojnë krijimtarinë por kemi sjellë një grup pyetjesh që lidhen me esetë.

Në përfundim të gjithë procesit kur ne korrigjojmë testet ne fillojmë shpërndarjen. Nëse do ketë një arsye për të rishikuar pjesën e shpërndarjes së pikëve ne do ta bëjmë. Ende nuk ka përfunduar procesi. Do bëjmë analizën dhe më pas do bëjmë shpalljen e rezultateve. Nuk ka mundësi rivlerësimi por rishpërndarje të pikëve. Ne bëjmë një rishikim të pikëve për të bërë diferencën mes nxënësve sipas niveleve.

Nxitur nga përvojat e viteve të kaluara, këtë vit e kemi ndryshuar këtë procedurë dhe nuk e kemi nxjerrë ende variantin e saktë të testeve. Pas datës 18 ne do bëjmë shpalljen e rezultateve, do bashkangjisim dhe variantin e tyre. Do shikojmë pretendimin e secilës palë por e them me bindje të plotë se testi nuk ka asnjë gabim”, tha Vrapi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!