Ministri i brendshëm Sandër Lleshaj ka votuar në orën 09.30 mëngjes në qendrën e votimit të vendosur në ambientet e shkollës Fan Noli. Për gazetarët, Lleshaj tha se qytetarët sot kanë të drejtë të zgjedhin dhe se ndjen keqardhje që opozita nuk është në këtë proces, por kjo është përgjegjësi e saj dhe e askujt tjetër.
“Ky është një ndër vendimet më kryesore që merr një qytetar për pushtetin vendor. Pas një periudhe shumë të ndërlikuar përgatitje sot mund të them me kënaqësi që zgjedhjet në të gjithë vendin po vijojnë të lira, të qeta dhe në një atmosferë shumë të mirë. Është e rëndësishme që t’u bëj thirrje gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë mundësinë për të ushtruar përgjegjësinë e tyre qytetare, aq më tepër që jemi në vigjilje të një vendimi shumë të madh për Shqipërinë, pra për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, tha Lleshaj./abcnews.al