Nga Juxhin Mustafaraj
40 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, drejtësia jep sinjale për krimet zgjedhore.
Pavarësisht pritshmërive të mëdha, dosja 339 nuk prodhoi më shumë se akuzat për 1 qytetar dhe 20 komisionerë në zgjedhjet e 2017, pa përfshirë asnjë akuzë për eksponentë të lartë politik.
Për personat e vënë nën akuzë, janë konstatuar veprat penale të votimit familjar dhe votimi në emër të personave të tjerë.
Sipas organit të akuzës, nga hetimet e kryera rezulton se Shpëtim Marku, banor i lagjes Xhafzotaj, Shijak, ka votuar në emër të babait të tij, ndërkohë që ky i fundit ndodhej jashtë shtetit, ndërkohë që kishte votuar më parë në emër të tij.
Shtetasi Armelin Zeza ka vulosur fletë votimi dhe votuar në emër të 25 shtetasve të tjerë të cilët ndodheshin jashtë shtetit me qëllim ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Prokuroria bën të ditur se gjithashtu komisionerë në disa qendra votimi në Shijak, kanë lejuar me dashje shtetas që kishin votuar më parë të votonin në emër të shtetasve të tjerë.
Në përfundim të hetimeve prokuroria kërkon pushimin e çështjes për Kasem Lala dhe Besim Bregu për shkak se kanë ndërruar jetë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprat penale, “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar”, dërgoi në gjyq 21 persona.
/abcnews.al/