Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur votimin në Kuvend të dy anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.
“Prej votimit unanim të reformës në drejtësi në 2016-ën, institucionet shqiptare, përfshirë edhe organet e reja të pavarura të gjyqësorit, kanë punuar fort për të përmbushur vullnetin e popullit. Votimi i sotëm i Parlamentit çon Shqipërinë përpara në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, një organ jetësor për llogaridhënien dhe ekuilibrat demokratike”, thuhet në reagimin në FB të ambasadës, duke konfirmuar përkushtimin e SHBA për të mbështetur ngritjen e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të ndershëm në Shqipëri.
Edhe BE ishte në të njëjtën linjë.
“Sot Parlamenti zgjodhi dy anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Ne e mirëpresim këtë vendim dhe presim krijimin e një Gjykatë funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur” thuhet në deklaratën e delegacionit.
Ambasadori gjerman, vendi i të cilit e kishte ndër kushtet e para për Shqipërinë ngritjen dhe funksionimin e gjykatës Kushtetuese e ka përshëndetur zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj.
“Bundestag-u Gjerman e ka theksuar në vendimin e tij të datës 26 shtator 2019 se sa e rëndësishme është rivendosja në funksionalitet e Gjykatës Kushtetuese edhe për procesin e përafrimit të Shqipërisë me BE-në. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në përforcimin e drejtësisë dhe shtetit ligjor”, thuhet në deklaratën e ambasadorit Zingraf./abcnews.al

