Votimi i parakohshëm në SHBA/ Rekord, mbi 25 milionë amerikanë kanë votuar para datës së zgjedhjeve

schedule17:08 - 24 Tetor, 2024

schedule 17:08 - 24 Tetor, 2024

Ndërsa më pak se dy javë na ndajnë nga Zgjedhjet Presidenciale në Shtetet e Bashkuara, në më shumë se gjysmën e shteteve Amerikane ku është hapur votimi i parakohshëm kanë hedhur votat e tyre mbi 25 milionë qytetarë Amerikanë.

Të dhënat vijnë nga Laboratori Zgjedhor i Universitetit të Floridas, ndërsa kjo shifër konsiderohet një  shifër rekord sa i përket pjesëmarrjes.

Shtetet e Lëkundura janë elementi më i rëndësishëm në përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve presidenciale.

Sytë e amerikanëve janë fokusuar në Pensilvani, pasi ky shtet me 19 vota elektorale pritet të jetë shteti që do të vendosë edhe Kreun e Shtëpisë së Bardhë mes demokrates Kamala Harris dhe Republikanit Donald Trump.

Beteja është e forte edhe në  Arizona. Në zgjedhjet e vitit 2020 Joe Biden ishte demokrati i dytë në 70 vite që arrit të siguronte fitore në këtë Shtet, ndërsa sondazhet e këtij viti tregojnë një epërsi të Trump me 2 pikë përqindje ndaj rivales së tij Kamala Harris.

Në Arizona , në disa prej qendrave të votimit ka nisur edhe sistemimi i votave përpara numërimit të tyre.

Demokratët dhe Republikanët po përdorin tashmë çdo kartë për të siguruar fitoren në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Ish Presidenti Demokrat Bill Clinton nga një Tubim në Arizona deklaroi se Kamala Harris është zgjedhja më e mire që Amerikanët kanë sa i përket trajtimit të inflacionit. Kjo deklaratë e tij vjen ndërkohë që sondazhet tregojnë se Administrata Biden ka dështuar të trajtojë diça të tillë në ekonominë Amerikane.

Nga ana tjetër kandidati i Republikanëve për zëvendës President JD Vance deklaroi nga një miting në Nevada se kontrasti mes Donald Trump dhe Kamala Harris është i qartë për votuesit Amerikanë. JD Vance u shpreh se Kamala Harris nuk mund ti përgjigjet pyetjeve në intervista , ndërsa Donald Trump ka zgjedhur të luftojë për popullin Amerikan edhe pse është përballur me dy tentative për atentat./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!