Votimet për Parlamentin Europian, “timoni i BE pret” djathtas

schedule09:00 - 27 Maj, 2019

schedule 09:00 - 27 Maj, 2019

Forcat liberale dhe e djathta ekstreme do të kenë më shumë vende në Parlamentin Evropian. Ato pësuan rritje në zgjedhjet evropiane, ndërsa partitë tradicionale kane humbur shumicën në Parlamentin Evropian.

Partitë pro forcimit te Bashkimit Evropian, arritën të mbajnë dy të tretat e vendeve në Parlamentin Evropian, por e djathta ekstreme dhe nacionalistët shënuan rritje në zgjedhjet që përfunduan të dielën.

Ashtu siç ishte parashikuar, qendra e majtë dhe qendra e djathtë nuk do kenë më shumicën absolute në Parlamentin Evropian. Grupimi i Partisë Popullore Evropiane dhe ai i Socialdemokratëve kanë shënuar humbje të konsiderueshme ne elektoratin e tyre. Megjithatë, Partia Popullore Evropiane  (EPP) mbetet forcë e parë fituese këto zgjedhje me 180 vende. I  dyti renditet grupimi i partisë socialiste (S&D) me 146vende, që pasohet nga liberalët  me 109 vende dhe nga të gjelbrit me 69 vende.

Gjykuar nga rezultatet, liberalët do të jenë rol thelbësor në ngritjen e institucioneve të BE.

Grupimi i Partive Konservatore ka siguruar 59 vende, në Parlamentin Evropian me 751 deputete. Ndërsa  e nacionalistët e ekstremit të djathtë dhe popullistët së bashku kanë 151 vende në Parlamentin Evropian.

Surpriza negative e këtyre zgjedhjeve mbetet rritja e ekstremit të djathë në disa vende të Bashkimit Europian. Në Francë, ekstremi i djathtë i Marine Le Pen që kryeson partinë  Fronti Kombëtar është fituese e këtyre zgjedhjeve duke lënë pas grupimin e presidentit francez Emanuel Macron. Madje, Le Pen ka kërkuar shpërbërjen e parlamentit pas shpalljes së rezultateve. Ne Itali po ashtu, Lega Nord e Mateo Salvinit është renditur e para në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Ndërkohë, në Belgjikë, ekstremi i djathtë është forca e dytê fituese e këtyre zgjedhjeve dhe si parti populiste dhe ekstremiste kanë fituar në disa vende të Bashkimit Evropian dhe do të mund tê futen në Parlamentin Evropian.

Zyrtarët evropianë janë shprehur të kënaqur me pjesëmarrjen në zgjedhje që arriti në 51 për qind, më e lartë se 43 për qind qe ishte në zgjedhjet e 2014. Kjo pjesëmarrje ne zgjedhjet evropiane regjistrohet si me e larta e dy dekadave te fundit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!