Vota e emigrantëve/ Propozim i ri për herësin, PS mbyll reformën zgjedhore, çon draftin e saj në Kuvend

schedule11:53 - 8 Korrik, 2024

schedule 11:53 - 8 Korrik, 2024

Në mungesë të konsensusit për një reformë elektorale të përbashkët, partia socialiste siç u paralajmërua javën e shkuar, çoi në parlament një draft të sajin.

Drafti i socialistëve prek vetëm dy elementë të ligjit, që vijnë edhe si reflektim i dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, për herësin dhe votën e emigrantëve.

Sipas këtij propozimi të ri për herësin, socialistët i kanë hapur rrugën një numri më të madh kandidatësh që mund të thyejnë herësin.

Ndërsa në zgjedhjet e 2021, mesatarja numerike e herësit ishte rreth 10 mijë vota, në ndryshimet e propozuara, ky herës nuk tejkalon më shumë se 7 mijë vota.

“Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi i ndarjes së mandateve. Në çdo rast, herësi i ndarjes së mandateve nuk mund të jetë më shumë se 7 000 vota. Në rast se herësi i ndarjes së mandateve që përfitohet nga pjesëtimi si më lart është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri  i plotë më i afërt”

Në zgjedhjet e 2021, ishin 17 deputetët që arritën të thyejnë herësin dhe u futën në parlament, pavarësisht vendit të disa prej tyre, të pasigurt në listë.

Nëse drafti i PS do të marrë disa karton jeshilë të opozitarëve, për të formuar 84 vota deputetësh, atëherë në 2025 shanset e atyre që janë jashtë listës së mbyllur apo të sigurt, do të jenë të rritura, e për pasojë dhe konkurrenca brenda një partie, më e madhe.

Për votën e diasporës, Partia Socialiste ka propozuar disa ndryshme, të qartësuar për shkak të diskutimeve që janë bërë së fundmi edhe në grupin politikë, në Kuvend.

PS-ja PS propozon që regjistrimi i zgjedhësve jashtë vendit dhe votimi të organizohet dhe administrohet nga KQZ. Numri I atyre që do të mund të votojnë, do të jenë vetëm emigrantët që kanë një adresë të deklaruar.

“Zgjedhësi që është me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit”

Emigrantët që do të deklarojnë vullnetin për të votuar, do të marrin me post materialet e votimit.

“KQZ-ja dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin jashtë. Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”

Sipas këtij procesi, vota e emigrantëve do të numërohet tek qarku, ku ai ka pasur vendbanimin e deklaruar. Për votën e Diasporës në grupin politikë janë bërë shumë diskutimet për shkak të kundërshtimeve që ka patur opozita dhe propozimeve të saj, që të votojnë më shumë se vetëm shqiptarët jashtë që kanë një adresë të saktë qëndrimi dhe shmangies së postës. Socialistëve për ta miratuar këtë draft nuk u duhen më shumë se 2 vota të opozitarëve, nëse llogaritet edhe vota pro e 4 deputetëve të PDIU-së dhe 3 të PSD-së.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!