Vota e emigrantëve, Majko kërkon ndryshime në Kodin Zgjedhor

schedule16:25 - 18 Shkurt, 2020

schedule 16:25 - 18 Shkurt, 2020

Pandeli Majko, ministër i Shtetit për Diasporën, nuk kurseu kritikat për Ministrinë e Jashtme dhe të Brendshme kur tregoi raste të mijëra shqiptarëve që jetojnë jashtë që e kanë të pamundur të regjistrohen.

“Kemi shumë probleme me regjistrimin. E paimagjinushme që e gjithë Kanadaja shkon në SHBA për të bërë pashaportat”, tha Majko.

Këtë përgjigje dha Pandeli Majko kur u pyet në Nënkomisionin për Diasporën dhe Migracionin në Parlament lidhur me mundësinë e shqiptarëve që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme. Ministria e Diasporës ka depozituar një dokument në Komisionin për Reformën Zgjedhore dhe kërkohet vetëm një ndryshim në Kodin Zgjedhor, që të hiqet e vetmja pengesë ligjore që ekziston aktualisht që shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë të ushtojnë të drejtën e votës.

“Është detyrë kushtetuese, që ne tu japim shtetasve shqiptarë të drejtën e votës. Nuk ka asnjë ndalesë kushtetuese, thjeshtë duhet të ndryshohet kodi”, u shpreh më tej Majko.

Pandeli Majko tregon edhe si mund të votohet, në rast se palët do të bien dakord që në rezultatin final të mos mungojë vota e shtetsave shqiptarë që jetojnë jashtë territorit.

“Me postë ose një kompani ndërkombëtare që çon zarfet tek ai që ka ka shprehur vullnet”, sqaroi më tej Majko.

Diskutimi për votën e emigrantëve gjithmonë është shtruar në tavolinë, por deri më tani palët nuk janë dakordësuar që kjo trë ndodh. Në axhendën e diskutimeve për reformën zgjedhore, në datën 1 mars parashikohet që të diskutohen të gjithë propozimet për votimin nga jashtë vendit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!