Vota e emigrantëve, Celibashi kundër Pandeli Majkos

schedule15:20 - 28 Dhjetor, 2020

schedule 15:20 - 28 Dhjetor, 2020

Nga Esiona Konomi

Vota e emigrantëve është patatja e nxehtë në duar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Procesi është delikat dhe kërkon konsesus të gjerë. Qoftë vetë qytetarëve shqiptarë që banojnë jashtë territorit edhe partive politike. Nuk mund të themi se kemi ofruar zgjidhje të mirë sa kohë palët nuk e kuptojnë procesin siç e kupton KQZ”, tha Celibashi.

Aktualisht qeveria dhe KQZ-ja janë në përplasje se cilët emigrantë do të duhet të votojnë. Ministri përgjegjës për këtë cështje, Pandeli Majko pak ditë më parë tha se nuk ka nevojë që diaspora të pararegjistrohet. Por Celibashi e kundërshton këtë formë të leximit të ligjit nga qeveria.

“Secili ka mënyrën e vet të leximit. Por për KQZ nuk mund ta shprehësh dëshirën e votimit nëse nuk e ke vendbanimin atje ku kërkon të të vijë fleta e votimit. Për KQZ duhet ta kesh këtë status. Se si e merr këtë status në dijeninë time duhet të ndjekësh procedurat që ka përcaktuar qoftë ligji i vitit 2016 dhe aktet nënligjore të qeverisë lidhur me këtë çështje’, tha Celibashi.

Informacioni më i fundit i dhënë nga Gjendja Civile në KQZ, është se asnjë emigrant nuk është regjistruar me adresë të saktë jashtë vendit, edhe pse ligji specifik për këtë çëshje është bërë para 4 vjetësh. Sfida tjetër e KQZ-së është përdorimi i pajisjeve elektronike në zgjedhje, me kosto 27 mln euro, nga të cilat qeveria ka dhënë vetëm 20 %. KQZ ka hapur tenderin për blerjen e pajisjeve dhe ju ka dhënë kohë 6 kompanive të aplikojnë deri në 5 janar./mv.abcnews.al