Dritan Çaka, anëtar i KAS në KQZ, në një lidhje në “skype” në Tirana Live” në ABC News, foli për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke u fokusuar edhe te rëndësia e votës së Diasporës.
Gjatë intervistës, Çaka theksoi se zarfet do të priten deri në orën 19:00 të datës 11 maj, duke shtuar se çdo zarf që do të vijë pas kësaj ore do të konsiderohet i pavlefshëm.
“Procesi po vijon me ritme të shpejta dhe është bërë një punë voluminoze. Ka pasur disa problematika të vogla që kanë pasur zarfet, si probleme me të njëjtin emër, por ne jemi të vetëdijshme që në këto momente të para do kishte situata të tilla. Në momentin që do të fillojë numërimi i këtyre fletëve të votimit do të jenë të gatshëm për t’u administruar. Problematikat e vogla kanë bërë që të shtyhet me disa ditë ky dërgim. Por ne do të zbatojmë me rigorozitet, për të bërë të mundur vlerësimin”, tha ai.,
Siç tha ai shtyrja e afatit është bërë për shkak edhe të punës voluminoze, ndërsa shpjegoi se dërgimi i dy zarfeve te i njëjti person, është e pamundur.
“Problematika kryesore ka qenë me zarfin B, që ka pasur kur është prodhuar. Shqetësimi është konstatuar nga vetë operatorët e KQZ, është ngritur edhe nga subjektet zgjedhore, por nuk e cënon votimin sepse është sistemi që nuk lejon dërgimin e dy zarfeve te i njëjti person, pra është e pamundur. Gjithsesi ne do të jemi gjithmonë të gatshëm për të dhënë sqarimet e duhura që qytetari ta plotësojë në mënyrën e duhur. Ne do t’i presim zarfet deri në orën 19:00 të datës 11 maj. Çdo zarf që do të vijë pas kësaj ore do të konsiderohet i pavlefshëm”, tha mes të tjerash Çaka.