Nga Erisa Zykaj
Komisioni Europian hyn në betejën e parë të paparashikuar për vonesat në shpërndarjen e vaksinës kundër COVID-19 për qytetarët europianë. Ekzekutivi europian kërkon nga firma farmaceutike që t’i përmbahet angazhimit të kontratës për prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave.
Sqarimet e dhëna nga firma farmaceutike AstraZeneca, për shpërndarje të një të tretës së dozave të parashikuara për vaksinat nga kjo firmë janë cilësuar të papranueshme dhe zhgënjyese nga komisionerja për shëndetin dhe sigurinë ushqimore, Stella Kyriakides në një konferencë për shtyp në Bruksel.
Sasia totale e dozave nuk njihet saktësisht pasi firma përdor klauzolën e konfidencialitetit, por sipas një zyrtari europian bëhet fjalë për qindra miliona doza vaksina. Sipas të njëjti zyrtar, shpërndarja e një të tretës së vaksinave do bëhet gjatë muajit shkurt dhe mars, por më pas çështja mbetet e paqartë.
“27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian janë të bashkuar lidhur me nevojën që AstraZeneca të shpërndajë dozat e parashikuara në kontratë. Ne jemi në një pandemi. Po humbim njerëz përditë. Këto nuk janë shifra, por njerëz me familje, miq dhe kolegë, qe jane po ashtu te prekur nga situata. Firmat farmaceutike kanë detyrimin moral dhe kontraktual për të respektuar angazhimet. I bëj thirrje AstraZeneca që të rikthejë besimin dhe t’i përmbahet kontratës” tha Stella Kyriakides, komisionere për shëndetësinë.
Firma AstraZeneca aktualisht prononcohet se për shkak të disa problemeve me një prej 5 impianteve për prodhimin e vaksinës, nuk mund të shpërndajë sasinë për të cilën është angazhuar.
Arsyet pse Komisioni Europian e konsideron këtë si një justifikim të papranueshëm lidhen së pari me faktin, sepse firma AstraZenneca ka komunikuar, se në përgjithësi procesi i prodhimit të vaksinave shkonte mirë përmes një komunikimi shumë të detajuar deri të premten, kur u zbulua një problem i thellë me pamundësinë e shpërndarjes së parashikuar të vaksinave.
Së dyti, burimet e Komisionit Europian, janë shprehur, se duke u nisur nga 4 impianet të tjera për prodhimin e vaksinave, 2 prej të cilave ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar, një në Belgjikë dhe një në Gjermani, firma duhet të kishte një stok të vaksinave.
Kjo pasi fondet e dhëna kësaj firme nga Komisioni Europian parashikojnë në kontratë një prodhim me rrezik. Komisioni Europian ka lënë të kuptohet, se ka dëshmi që vaksinat janë transportuar me anije. Komisionerja Kyriakides është shprehur se ekzekutivi europian do të gjejë provat që dëshmojnë, se ku kanë shkuar vaksinat./ Abcnews.al

