Von der Leyen: Evropa duhet t’i rishikojë themelet e sigurisë dhe ta forcojë mbrojtjen e Ukrainës

schedule18:04 - 30 Gusht, 2024

schedule 18:04 - 30 Gusht, 2024

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për një përkushtim më të madh evropian për sigurinë dhe për tejkalimin e mungesës së gatishmërisë për të shpenzuar për mbrojtjen, duke e përmendur pushtimin e Ukrainës nga Rusia si dëshmi se blloku duhet patjetër të “mendojë për unionin tonë si një projekt të sigurisë në thelb”.

Duke folur në kryeqytetin e Republikës së Çekisë në forumin vjetor të sigurisë, Globsec, Von der Leyen paralajmëroi se vitet e ardhshme do të jenë “rrezik i madh”.

“Nëse duam paqe të vërtetë, ne duhet t’i rishikojmë themelet e arkitekturës së sigurisë së Evropës. Pushtimi i nisur nga Rusia ka qenë paralajmërim për Evropën”, tha ajo.

Von der Leyen i kritikoi vendet joevropiane të cilat argumentojnë kundër armatimit të Ukrainës dhe paralajmëroi kundër bisedimeve të parakohshme për të cilat as Moska, e as Kievi nuk duken të gatshme për t’i mbajtur dy vjet e gjysmë pasi Rusia e nisi pushtimin.

Përgjigjën se kur është koha për bisedime, tha ajo, “u takon miqve tanë ukrainas ta japin”.
Forcat ruse kanë nën kontroll aktualisht një të pestën e territorit rus, por trupat ukrainase thonë tani se kanë nën kontroll më shumë se 1.200 metra katrorë territor të Rusisë, pasi e nisën një inkursion në rajonin Kursk muajin e kaluar.

Derisa ajo specfikisht përmendi “shumë vende jashtë Evropës” që po bëjnë thirrje për bisedime të menjëhershme, duket se kjo ishte një goditje ndaj anëtares së BE-së, Hungarisë, presidenti i së cilës Viktor Orban kreu një mision të vetëshpallur dhe të pakoordinuar të “paqes” në Kiev, Moskë dhe Pekin, menjëherë pasi Budapesti e mori kryesimin e Presidencës së Këshillit të BE-së, në korrik, duke e xhindosur Brukselin.

“Ne duam që lufta të mbarojë sa më shpejt”, tha Von der Leyen.

Por, ajo shtoi se “qëndrimi im është se paqe nuk është thjesht mungesa e luftës. Paqja është një marrëveshje që e bën të pamundur dhe të panevojshme luftën. Prandaj, ne duhet ta vëmë Ukrainën në binarë të negocimit të një paqeje të tillë”.

Ajo paralajmëroi kundër fajësimit të Kievit për pushtimin e paprovokuar që po e kryen Rusia. Ajo pyeti nëse Hungaria apo ish-Çekosllovakia duhet të fajësohen për pushtimin e vendeve të tyre nga trupat sovjetike dhe të Paktit të Varshavës më 1956 dhe 1968.

“Përgjigja për këtë pyetje është shumë e qartë. Sjellja e Kremlini ishte e jashtëligjshme dhe mizore atëherë, dhe sjellja e Kremlinit është e jashtëligjshme dhe mizore edhe sot”, shtoi ajo.

Von der Leyen tha se evropianët kanë shumë histori të ndryshme dhe flasin shumë gjuhë, “por në asnjë gjuhë paqja nuk është sinonim i dorëzimit; në asnjë gjuhë sovraniteti nuk është sinonim i pushtimit”.

“Prandaj, ata që argumentojnë për ta ndalur mbështetjen për Ukrainën, nuk argumentojnë për paqe. Ata argumentojnë për dorëzimin e Ukrainës”, nënvizoi ajo.

Von der Leyen tha se njëri ndër mësimet e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe reagimit ndërkombëtare ndaj saj është se “Evropa e ka tejkaluar mungesën e kamotshme të vullnetit për të shpenzuar për mbrojtjen e vet”.

Ajo e theksoi rëndësinë e mbështetjet amerikane dhe bashkëpunimit transatlantik, por tha se “është detyrë e Evropës ta mbrojë Evropën”.

Ajo tha se shpenzimet e vendeve anëtare të BE-së për mbrojtjen kolektive janë rritur nga 200 miliardë euro para luftës në gati 300 miliardë euro në vitin 2024.

“Ne evropianët duhet të bëjmë rojë. Ne duhet ta përqendrojmë vëmendjen në dimensionet e sigurisë për gjithçka që bëjmë”, përfundoi ajo./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!