Ursula fon der Lejen është presidentja e parë grua e Komisionit Europian. Ajo u zgjodh pasditen e së martës përmes votimit të fshehtë, ndonëse me një diferencë të ngushtë votash. Në fjalën e saj pas votimit, Fon der Lejen ftoi aktorët politikë për bashkëpunim konstruktiv.
Gjermania Ursula fon der Lejen është zgjedhur me një diferencë të ngushtë votash presidentja e re e Komisionit Europian, pas votimit të fshehtë të mbajtur pasditen e së martës në selinë e Parlamentit Europian, në Strazburg. Aktualisht ministre e Mbrojtjes së Gjermanisë, Fon der Lejen do të zëvendësojë në këtë post duke filluar nga 1 nëntori presidentin në ikje Zhan Klod Junker. “Puna ime nis tani dhe është një përgjegjësi e madhe. Le të punojmë të gjithë së bashku në mënyrë konstruktive”, deklaroi Fon der Lejen pak momente pas votimit. Emërimi i saj u konfirmua me 383 vota pro ndaj 327 kundër dhe nga 374 që ishte kuorumi i nevojshëm.
Ajo siguroi mbështetjen e më shumë se gjysmës së anëtarëve të Parlamentit Europian pak përpara se të mbahej votimi. Komisioni projekton ligjet e BE-së, përforcon rregulloret e Unionit dhe ka autoritetin për t’u vendosur gjoba shteteve anëtare në rast nevoje. E lindur në Bruksel, zonja Fon der Lejen ka 7 fëmijë dhe është gruaja e parë që zgjidhet në krye të këtij organizmi. Në fjalimin që i parapriu votimit, ajo premtoi se do të punojë që BE të luajë një rol më të madh për mirëqënien sociale, për të frenuar varfërinë dhe për të ngritur zërin për të drejtat e grave. Sa i takon emigracionit, ajo tha se do të punojë që trupat e agjencisë Fronteks të arrijnë deri në 10 mijë njësi brenda vitit 2024, por shtoi se paralelisht duhet ruajtur e drejta për azil përmes korridoreve humanitare. /ABC News Albania 24/7