“Volvo 4”, Apeli liron dy ish-deputetët Ndoka dhe Çuko

schedule14:07 - 15 Nëntor, 2018

schedule 14:07 - 15 Nëntor, 2018

Pa kaluar tre javë nga mega-operacionit “Vol vo 4”, pas të cilit 34 persona shkuan me pranga në gjykatë, vetëm 17 prej tyre mbetën në qeli. Apeli i Krimeve të Rënda liroi të enjten nga qelia dy ish-deputetët Arben Çuko dhe Arben Ndoka. Për ta dhe 4 të tjerë masa “arrest në burg” u ndryshua në “arrestë shtepie”. Masa “arrest në burg” u la e pandryshuar për anëtarët e fisit Avdyli dhe persona të akuzuar për trafikun e narkotikëve.

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi të lirojë nga qelitë e paraburgimit dy ish-deputetët e Partisë Socialiste, Arben Çuko dhe Arben Ndoka. Ata u arrestuan në 21 Tetor në kuadër operacionit policor “Vol-Vo 4”, për goditjen e katër grupimeve kriminale në 12 qytete të vendit. Apeli ndryshoi masën “arrest në burg” dhënë më herët për ta, duke i lënë në “arrest shtëpie”.

Dy ish-anëtarët e Kuvendit nuk ishin prezentë në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së vendimit. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko, akuzohet për një aferë korruptive gjatë drejtimit të këtij institucioni, ndërsa për ish-deputetin Ndoka, prokuroria ka ngritur dyshime për 7 vepra penale, mes të cilave “falsifikim dokumentesh”, “shpërdorim i tokës” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Masa “arrest në burg” ndryshoi  në “arrest shtëpiak” edhe për 4 të arrestuarit Ardit Gjyriqi, Paulin Simoni, Elis Guri dhe Zef Lazri.

Të njëjtin fat nuk patën 17 të dyshuar të tjerë të dosjes, për të cilët treshja e Apelit e përbërë nga gjyqtarët Sokol Binaj, Idriz Mulkurti dhe Dhimitër Lara la në fuqi masën “arrest në burg”. Në qelitë e paraburgimit do të hetohen gjithë anëtarët e fisit Avdyli dhe të arrestuarit e tjerë nga Shijaku, por edhe vëllai i ish-deputetit Ndoka, Gjevi Ndoka.

Prokuroria për Krimet e Rënda ka dyshime se ata janë të përfshirë në trafikun e drogës brenda dhe jashtë vendit, akuza që u mohuan prej tyre në gjykatë. Për katër të proceduar të tjerë të dosjes, Lule Zeneli, Zef Ndoka, Vasil Nika dhe Gent Zeneli, Apeli caktoi masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Ata dyshohet të jenë përfshirë në çështjen e tjetërsimit të pronave në Lezhë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!