Volejbollistët e Tiranës u shpallën kampionë të Shqipërisë në volejboll për meshkuj pas fitores 3-2 në ndeshjen e katërt finale ndaj Partizanit.
Një përballje e fortë në Sallën Olimpike “Feti Borova” në kryeqytet, me djemtë bardheblu që treguan karakter për të reaguar pasi u ndodhën dy herë në dizavantazh.
Setet ishin 25-18 për Partizanin, 25-22 për Tiranën, 26-24 për Partizanin dhe pastaj 25-21 dhe 15-5 për kampionët.
Skuadra e trajnerit Arben Sako u kuptua që ishte më e fortë sidomos duke dominuar në setin final. Seria finale e play off ndaj të kuqve u mbyll 3-1 me fitore për bardheblutë.
Ky ishte titulli i dytë radhazi për tiranasit, që edhe vjet fituan nën drejtimin e Sakos, ndërsa në total ata kanë 11 trofe të kampionateve shqiptare.
Festa ishte e madhe dhe plotësisht e ligjshme për kapitenin Ledion Martiro, lojtarin më të vjetër dhe njëkohësisht zv. trajnerin Klodian Ferhati, si dhe për gjithë volejbollistët e tjerë dhe për tifozët në Sallën “Feti Borova”./ h.ll/abcnews.al