“Vol-Vo 4”, Krimet e Rënda lirojnë ish-policin e Sarandës

schedule15:33 - 4 Qershor, 2019

schedule 15:33 - 4 Qershor, 2019

Lirohet ish-efektivi i policisë së Sarandës i arrestuar në kuadër të operacionit “Vol-vo 4”. Gjykata për Krime të Rënda i ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” Jasin Abdul për arsye shëndetësore. Gjykata ka urdhëruar që Abdul të mos takojë asnjë person tjetër përveç familjarëve që jetojnë me të.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka liruar ish-efektivin e Policisë së Sarandës Jasin Abdul, anëtar i dyshuar i bandës së Avdylajve të Shijakut. Abdul ishte një nga efektivët e uniformave blu u arrestua në kuadër të megaoperacionit “Vol-vo 4”. Ish-policit  i është ndryshuar masa e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” për arsye shëndetësore.

Gjykata e Krimeve te Rënda  ka urdhëruar që pavarësisht se në arrest shtëpie, Abdul nuk duhet të kontaktojë me asnjë person të jashtëm, përveç familjarëve që jetojnë në të njëjtën banesë me të. Ish-efektivi i uniformave blu u arrestua pasi Prokuroria për Krime të Rënda, e akuzoi atë së kishte bashkëpunuar me “Avdylajt” e Shijakut, për të trafikuar lëndë narkotike nga Shqipëria në drejtim të Greqisë.

Jasin Abdul u arrestua bashkë me 43 persona të tjerë, të akuzuar për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale, si dhe pastrim i produkteve të veprës penale, të drejtuar nga grupi i Shijakut.

Në kuadër të operacionit “Vol-vo 4” u goditën 4 grupe kriminale, midis tyre u zbulua edhe laboratori përpunimit të heroinës në fshatin Brenog të Hasit, ku u sekuestruan 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, 22 litra lëndë e lëngshme, të cilat do të përdoreshin për të prodhuar  heroinë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!