Kandidatja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, padit në KQZ ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Në një komunikim për mediat, Vokshi shprehet se ministrja ka ka hapur të paktën 2 zyra elektorale shumë pranë objekteve të përcaktuar si qendra votimi duke shkelur në këtë mënyrë Kodin Zgjedhor.
Nga shkolla “Jorenim De Rada”, ajo deklaroi se pranë kësaj shkolle është hapur një zyre, gjithashtu edhe në kopshtin nr 3 në kryeqytet ka ndodhur e njëjta gjë.
Vokshi bën me dije se Kodi Zgjedhor e ndalon hapjen e zyrave elektorale deri në 300 metra nga qendra e votimit.
“Është një akt i paligjshëm që synon të intimidojë zgjedhësit ditën e votimit”- thotë Albana Vokshi para zyrës elektorale me qepena të ulur të PS. Kandidatja e PD ka një thirrje për KQZ. “I bëj thirrje KQZ që të mos bëhet palë me PS, por të verifikojë çdo shkelje të ligjit dhe të urdhërojë Policinë Bashkiakë t’i mbyllë këto zyra”, tha Albana Vokshi, e cila tregon se edhe pas denoncimeve zyrtare të depozituar në KQZ, nuk ka akoma asnjë reagim nga KQZ.
/abcnews.al/