Vokshi: Dy kandidatët e Ramës, pjesë e dështimit të sigurisë në institucione

schedule16:04 - 26 Mars, 2019

schedule 16:04 - 26 Mars, 2019

Pas deklaratave të Kryeministrit Rama lidhur me garantimin e sigurisë në institucione, spitale apo edhe gjatë zhvillimit të ndeshjeve të futbollit, Partia Demokratike i ka kujtuar shefit të qeverisë se janë dy kandidatët e tij për bashki të cilët kanë përfituar para publike për ofrimin e këtij lloj shërbimi.

Deklaratat e kreut të qeverisë lidhur me ashpërsimin e Kodit Penal me qëllim sigurimin fizik të mjekëve apo fushave të futbollit, sollën reagimin e selisë blu. Ish-deputetja demokrate Albana Vokshi theksoi se mungesat që shefi i qeverisë i gjen tek Kodi Penal faktikisht janë fillimisht përgjegjësi e tij dhe të paktën dy prej kandidatëve të tij për kryetar bashkie.

“Që nga viti 2014 dhe deri tani, qeveria e Edi Ramës ka tenderuar 101 milionë euro. 1/3-ën e kësaj shume, rreth 34 milionë i ka marrë Safet Gjici dhe Pjerin Ndreu. Safet Gjici, nëpërmjet dy shoqërive të lidhura me të, Toni Security dhe Eurogjici Security ka përfituar 24,8 milion euro. Pjerin Ndreu, nëpërmjet kompanisë së lidhur me të, Ndreu Security Service, ka përfituar  9,1 milion euro”.

Sipas Vokshit, kreu i qeverisë ka patur detyrimin ti kërkojë llogari operatorëve të cilët nuk kanë arritur të garantojnë sigurinë në institucione.

“Dhe t’u merrte lekët mbrapsht, jo t’i bënte deputetë, prefektë apo t’i promovojë si kandidatë për kryetarë bashkie. Nëse shërbimi i sigurisë fizike ka dështuar, Edi Rama ka detyrimin t’u thotë shqiptarëve se ku i ka çuar 100 milionë eurot e tenderuar për këtë shërbim”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!