Pronari i një guroreje është plagosur pas një atentati me eksploziv në hyrje të qytetit të Vlorës. Makina e tij tip Benz shpërtheu në kohën që 48 vjeçari Agron Alushaj po dilte nga një lavazh.
Makina shpërtheu në ecje e sipër kur drejtuesi i saj Agron Alushaj po e nxirrte nga një lavazh në hyrje të qytetit të Vlorës. Pak minuta më pare ai kishte kryer pagesën për larjen e mjetit tip Benz me targa AA 703 NG . Shpërthimi me eksploziv ndodhi rreth orës 16:35. 48 vjeçari mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua menjëherë në spitalin rajonal të qytetit. Sipas mjekëve ai ka dëmtime të rënda në të dyja këmbët.
Burime i thanë ABC News se lënda eksplozive ishte vendosur brenda makinës në vendin e shoferit. Ende nuk dihet kush fshihet pas atentatit dhe motivet pse tentuan të vrisnin Agron Alushajn. Policia po heton edhe për të shkuarën e 48 vjeçarit që mbeti i plagosur gjatë shpërthimit me eksploziv. Agron Alushaj rezulton pronar i një guroreje në fshatin Drashovicë të Selenicës. Hetuesit dyshojnë se atentati mund të këtë ndodhur për shkak të biznesit të tij./abcnews.al