Vlorë/ Pësuan defekt gjatë lundrimit, policia i shkon në ndihmë një anije me 200 turistë dhe një gomoje me 3 shtetas në bord

schedule15:17 - 21 Gusht, 2023

schedule 15:17 - 21 Gusht, 2023

Policia e Vlorës i ka ardhur në ndihmë një anije me 200 turistë dhe një gomoneje me 3 shtetas në bord, pasi kishin pësuar defekt gjatë lundrimit në det.

Po ashtu janë bllokuar 18 mjete lundruese gjatë 24 orëve të fundit për lundrim në zona të ndaluara, mosregjistrim i pronësisë së mjetit lundrues dhe mungesë e dokumentacionit

Njoftimi i policisë:

Policia Kufitare e Vlorës dhe Njësia Policore Detare Vlorë kanë bllokuar gjatë 24 orëve të fundit, 18 mjete të tjera lundruese.

✅Gjithashtu, iu kanë shkuar në ndihmë një anije turistike me 200 turistë në bord dhe një gomoneje me 3 shtetas në bord, pasi të dyja këto mjete lundruese pësuan defekt gjatë lundrimit në det.

Në vijim të punës për kontrollin e mjeteve lundruese, përgjatë gjithë vijës bregdetare, liqenore dhe lumore, dhe në zbatim të porosive të fundit të dhëna nga ministri i Brendshëm, për rritje të vigjilencës, me qëllim ndërhyrjen në kohë për të bllokuar mjetet lundruese që rrezikojnë jetën e pushuesve duke lundruar afër ose brenda perimetrit të sigurisë, si dhe për të reaguar në kohë ndaj kërkesave për ndihmë që bëjnë turistët dhe pushuesit, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare Vlorë, gjatë 24 orëve të fundit, kanë intensifikuar monitorimet në vijën bregdetare.

Si rezultat i monitorimeve, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve me patrullat tokësore, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, Policia Kufitare ka bllokuar gjatë 24 orëve të fundit, nga Saranda në Vlorë, 18 mjete lundruese që janë konstatuar në paligjshmëri.

✅Mjetet e bllokuara: 13 Jet Ski, 4 gomone dhe 1 skaf.

❌Shkeljet e konstatuara: lundrim në zonë të ndaluar, mosregjistrim i pronësisë mbi mjetin lundrues dhe mungesë dokumentacioni në bord.

-Në Dhërmi, Palasë, Vlorë dhe Sarandë janë bllokuar 13 mjete lundruese Jet Ski. Njëri nga drejtuesit u ndëshkua me masën administrative 100 000 lekë, për lundrim në zonë të ndaluar, si dhe me masën 20 000 lekë, për mosregjistrim të pronësisë mbi mjetin lundrues, ndërsa 12 drejtuesit e mjeteve të tjera u ndëshkuan secili me masën 10 000 lekë, për mungesë dokumentacioni.

-Në Dhërmi, Palasë, Radhimë dhe Vlorë janë bllokuar 4 mjete lundruese gomone dhe 1 mjet lundrues skaf. Drejtuesi i njërës prej gomoneve është ndëshkuar me masën 100 000 lekë, për lundrim në zonë të ndaluar, ndërsa drejtuesit e 3 gomoneve të tjera dhe drejtuesi i skafit janë ndëshkuar secili me nga 10 000 lekë, për mungesë dokumentacioni.

Pasditen e djeshme, Policia Kufitare e Vlorës ka marrë një telefonatë nga një shtetase, e cila kërkonte ndihmë pasi anija turistike me 200 turistë në bord, me të cilën po lundronte, kishte pësuar defekt gjatë lundrimit në det, në Vlorë. Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare janë nisur me mjetet e tyre lundruese, në drejtim të adresës së dhënë. Anija turistike u nxorr në breg dhe u ankorua në portin e Vlorës.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare kanë marrë njoftim se një mjet lundrues gomone kishte pësuar defekt gjatë lundrimit, në gjirin e Borshit. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe kanë ndihmuar këta 3 shtetas, duke i nxjerrë në breg, me mjetin lundrues të Policisë Kufitare.

Pasagjerët e anijes turistike dhe 3 shtetasit që lundronin me gomone ndodhen të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falënderuar shërbimet e Policisë, për gatishmërinë dhe ndihmën që iu dhanë.

Policia Kufitare e Vlorës apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurtë dhe të qetë.

Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!