Policia shqiptare ka mundur të gjejë drogën që u tentua të trafikohej nga gomonia që u kap në Mali të Zi pasditen e djeshme. Sasia e lëndës narkotike është gjetur në Bristan, pranë Karaburunit në Vlorë.
Bëhet fjalë për 456 kg kanabis sativa e ndarë në 21 pako, që ishte fshehur nga trafikantët gjatë ndjekjes në det nga rojet bregdetare.
Policia e Vlorës në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Policinë e Malit të Zi janë duke kryer veprime hetimore ndaj shtetasve E.K., M.S., R.M., (shtetas malazez), dhe G.M., L.H., e J.M., (shtetas shqiptar), me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të kesaj veprimtarie kriminale.
Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë për veprën Penale ”Trafikimi i narkotikëve”. Gjatë ditës së djeshme ishte gjetur edhe një sasi prej 28 kg kanabis nga kontrollet e policisë.
Gomonia u kap dje rreth orës 17:30 në Mal të Zi dhe u arrestuan 3 persona shtetas malazez që ndodheshin në bord, ndërsa nuk u gjet drogë. Në ndjekjen e gomones që zgjati 24 orë u angazhuan policitë e Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi. /tvklan.al