Ndoshta humbja me Dinamon mund të ketë qenë rastësi.
Vllaznia arriti një fitore të madhe në Superligën shqiptare, duke shkatërruar Partizanin 4-1, e duke lënë prapa disfatën 1-3 të javës së kaluar.
Ishte sfida e xhiros së tretë, e cila po shkonte drejt barazimit sepse të kuqtë kaluan të parët në avantazh, ndërsa rezultati ishte 1-1 deri në minutën e parë shtesë të krejt duelit.
Sidoqoftë, futbolli luhet deri në fund, dhe gjithçka ndryshoi kur skuadra e trajnerit Edi Martini fitoi penalltinë e dytë në këtë duel.
Kapiteni Bekim Balaj nuk gaboi, ashtu siç ishte I saktë edhe në 11-metërshin e parë kur barazoi në 36’.
Më pas, Hakaj në minutën e tretë shtesë dhe Bismark në minutën e 97-të përcaktuan shifrat 4-1.
Kryeqytetasit kishin kaluar në epërsi në 26’ me golin e shënuar nga Isgandarli, dhe deri në atë kohë kishin luajtur më mirë.
Shkodranët u ngjitën në vend të parë me 6 pikë, duke lënë pas Elbasanin, Egnatian e Partizanin që kanë nga 4 pikë, ndërsa Dinamo ka tre.
Vlen të theksohet se elbasanasit kanë një ndeshje më pak, dhe blutë nga kryeqyteti kanë dy.
Në Superligë u luajtën edhe dy sfida të tjera.
Egnatia kampione fitoi 1-0 në Ballsh ndaj Bylisit vendas, me golin e shënuar nga Ruçi pas pushimit.
Tirana, ndërkaq, nuk festoi dot kthimin në shtëpi pasi në “Selman Stërmasi” u mbajt në barazim 1-1 nga Flamurtari.
Rekordmenët e titujve shënuan me anë të Tabekuit në 6’, por vlonjatët u përgjigjiën me golin nga I huaji tjetër, Burar në 53’./abcnews.al

