Vllaznia vlerëson lart derbin e përjetshëm ndaj Tiranës, por shpreson t’ia dalë me sukses. Trajneri Jonuz dhe kapiteni Lika flasin për ndeshjen e Superligës
Katër pikë në dy ndeshje janë një fillim i mirë.
Aq më tepër kur skuadra vjen nga një kategori më poshtë, ndonëse kur kjo e ka emrin Vllazni, diçka e tillë bëhet detyrim.
Detyrim apo jo, tashmë vjen derbi më i vjetër i futbollit shqiptar, dueli me Tiranën që do të luhet këtë të shtunë në “Loro Boriçi”.
Trajneri me origjinë shqiptare nga Maqedonia, Mirsad Jonuz, gjithsesi, ndihet i qetë.
“Jam mësuar me ndeshje të tilla, pasi kam luajtur shumë derbi si lojtar dhe si trajner. Gjithsesi, kjo është e veçantë, pasi është derbi i përjetshëm. Ka kaq shumë histori në këtë duel dhe gjithnjë ka pasur emocion për rezultatin. E shoh që ka shumë vëmendje nga tifozët dhe mediat, e kjo gjë është e mirë për futbollin në Shqipëri dhe në Shkodër. Ky do të jetë motiv më i madh për ne, që të japim maksimumin në këtë ndeshje”.
Pas vlerësimit të lartë për derbin, Jonuz flet edhe për synimin e tij.
“Dua të theksoj se lojtarët e mi janë gati, dhe disa prej tyre kanë luajtur më parë derbi të tillë, pra kanë përvojë. Edhe situata ku jemi, me 4 pikë, na jep të drejtë të jemi optimistë. Kush nuk do të donte që në fund të gëzoheshim së bashku. Kjo do të ishte shkëlqyeshëm. Me 7 pikë në 3 ndeshje do të ishte fillimi më i mirë i kampionatit”.
Kapiteni Gilman Lika ka luajtur më parë për Tiranën, ndërsa tani do ta ketë kundërshtar.
Vllaznisë i mungon vetëm Gligorovi i dëmtuar për derbin e madh, nuk ka asnjë dëmtim tjetër apo pezullim./ABC News Albania 24/7