Vllaznia fiton ndaj Lushnjes

schedule16:53 - 7 Prill, 2018

schedule 16:53 - 7 Prill, 2018

Mbijetesën mund ta sigurosh edhe kështu.

Një Vllazni, tashmë krejt e ndryshme nga ajo e pak javëve më parë, arriti fitoren e dytë radhazi dhe hodhi një tjetër hap për t’iu larguar rrezikut.

Dy herë Sukaj  e një herë Ribaj ishin autorët e golave tepër të bukur që në pjesën e parë, ndërsa përballë tyre ishte një Lushnje edhe më e dobët se zakonisht.

Trajneri Gjyla akuzoi për shitje ndeshjeje nga lojtarë të tij, një tjetër deklaratë që njollos një kampionat që nuk mund t’i shpëtonte fatit të atyre të viteve të kaluara.

Vllaznia, natyrisht, mund të fitojë ndaj Lushnjes krejt pa asnjë tolerim dhe ndoshta kështu edhe ndodhi, në takimin që përfundoi 4-0 pas rrjetës së shënuar në pjesën e dytë nga i riu Pusi.

Tifozët shkodranë dhe trajneri Gjoka nuk duan të besojnë gjë tjetër, ndërsa ekipi më i vjetër i futbollit shqiptar ka tani 33 pikë, vetëm 1 pikë prapa Kamzës së vendit të shtatë, por që nuk e ka luajtur ende ndeshjen e saj të kësaj jave.

Pozitiv mund të quhet edhe hapi i Teutës, edhe pse durrsakët për momentin janë në zonën e rënies.

Barazim 0-0 në Gjirokastër, por në një përballje ku duhet të falenderojnë fatin që nuk dolën të mundur nga fusha e lojës.

Luftëtari krijoi raste pa fund, disa prej të cilëve tepër të pastër, por habitshëm nuk shënoi dot asnjë gol.

Formacioni i trajnerit Hasan Lika luftonte për fitore, për një kualifikim të mundshëm në Ligën e Europës, madje me mundësi matematike edhe për Championsin, nëse Skënderbeu mbetet i dënuar.

Sidoqoftë, fajet i pati vetë që nuk shënoi qoftë edhe një gol, duke i dhënë mundësi Teutës së trajnerit Begeja që të vazhdojë të shpresojë për të qendruar në Superligë.

Durrsakët kanë 30 pikë pas 28 ndeshjesh, 3 më pak se Vllaznia e 4 më pak se Kamza, që pret Kukësin këtë javë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!