Vllaznia e pandalshme në “Loro Boriçi”, “Kuqeblutë” mundin Tiranën në “klasiken” e Superiores

schedule18:54 - 2 Mars, 2024

schedule 18:54 - 2 Mars, 2024

Nuk mund të kishte rezultat më të bukur, sidomos pas barazimit, të “Rrogozhinasve” të Egnatias. “Kuqeblutë” e Vllaznisë kanë treguar se janë “zotërit” legjitimë, në “mitikun” e Shkodrës, “Loro Boriçi”, teksa pasditen e kësaj të shtune kanë mundur me rezultatin e thellë, 3 me 1, “Bardheblutë” e Tiranës, në “klasiken” e futbollit shqiptar.

Një gol i qendërmbrojtësit kroat, Marko Juric, në minutën e 23’-të të sfidës, si dhe një dopietë e “bomberit” shkodran, Bekim Balaj, në minutat 45+2’ e 80’ nxorrën totalisht “të pavlefshëm” golin e talentit, 19-vjeçar, Dijar Nikqi, me këtë të fundit, që shënoi golin e “nderit”, për “Bardheblutë”, në minutën e 78’-të të sfidës.

Falë këtij rezultati, Vllaznia ngushton edhe më shumë diferencën, në krye me “Rrogozhinasit” e Egnatias, teksa pas javës së 26-të, të kampionatit shqiptar të futbollit, Abissnet Superiore ngjitet në kuotën e 46 pikëve, vetëm 4 më pak se “Zijeshilët”, ndërkaq, Tirana mbetet në vendin e 6-të, me 35 pikë dhe mbetet sërish jashtë zonës “Final Four”, kësaj radhe me 2 pikë më pak se Skënderbeu. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!