“Vllaznia e kalueshme, e njohim mirë”, te Siroki Brijeg me ide të qarta të gjithë

schedule15:38 - 7 Korrik, 2021

schedule 15:38 - 7 Korrik, 2021

Siroki Brijeg është gati të përballet me Vllazninë nesër në mbrëmje. Trajneri Toni Karacic, si dhe lojtarët Mato Stanic dhe Alen Jurilj, kanë dalë sot para mediave dhe kanë folur për duelin me shkodranët.

“Kemi bërë gjithçka siç duhet gjatë përgatitjeve, kemi pushuar dhe jemi gati për ndeshjen. Do të jetë një sfidë e madhe për ne dhe shpresoj që në fund të marrim një rezultat pozitiv.

Sidoqoftë duhet theksuar se asgjë nuk do të zgjidhet nesër. E rëndësishme është të dalësh si fitues i përgjithshëm pas dy ndeshjeve. Ky është qëllimi ynë”, tha trajneri Karacic.

Më pas, mesfushori qendror Stanic shtoi: “Kemi pasur kohë të mjaftueshme ta përgatisim ndeshjen. E kemi studiuar mirë kundërshtarin, e dimë çfarë duhet të bëjmë dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë.

Kam parë disa ndeshje të tyre, kanë cilësi dhe luajnë futboll të mirë. Ata ishin pothuajse kampionë në Shqipëri. Nuk besoj se do të kenë shumë ndryshime, pasi kanë të njëjtin trajner. Sigurisht Vllaznia nuk është një kundërshtar që nuk mund ta kalojmë”.

Sulmuesi i krahut të majtë, Alen Jurilj, deklaroi: “Kemi parë pikat e dobëta dhe të forta të Vllazninë. Kundërshtari është i vështirë, por që mund të kalohet. Shpresoj që tifozët të jenë sa më të shumtë në numër për të na mbështetur”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!