82 banesa dhe një pallat i pabanueshëm, si dhe 111 shtëpi të dëmtuara rëndë janë dëmet e shkaktuara në Durrës dhe njësitë administrative nga tërmeti i së shtunës. Ndërkohë lista e banesave me dëmtime më të lehta është më e gjatë.
Shifrat janë bërë të ditura nga Bashkia Durrës. Në zonën e plazhit, në sektorin “Iliria” një pallat shumëkatësh i vitit 2010 u shpall një ditë më parë i pabanueshëm dhe iu vunë shiritat bllokues, pasi ka dëmtime të shumta strukturore.
Gjeografia e shpërndarjes së shtëpive të pabanueshme është e përqendruar kryesisht në Manëz, Sukth dhe Katund i ri, në Rrashbull dhe në Ishëm. Në terren ndodhen 16 grupe vlerësimi të cilat do të bëjnë edhe raportin përfundimtar të dëmeve nga lëkundjet sizmike./ABC News Albania 24/7