Vlerësim pozitiv për ekonominë shqiptare, Moody’s dhe S & P japin serish B+

schedule16:00 - 3 Gusht, 2019

schedule 16:00 - 3 Gusht, 2019

Ekonomia shqiptare vlerësohet e qëndrueshme dhe ruan sërish vlerësimin B+, si në periudhën e mëparshme. Agjencitë ndërkombëtarë Moodys dhe Standard & Poor’s vlerësojnë rritjen ekonomike, si dhe uljen e borxhit, ndërsa presin ndikim më të fortë në ekonomi nga efektet e reformës në drejtësi.

Këtë të shtunë dy agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit ekonomik, Moody’s dhe Standard & Poor’s e klasifikuan me B+ për Shqipërinë, vlerësim i cili është i njëjtë me më parë.

Agjencitë kanë marrë në konsideratë rritjen e qëndrueshme ekonomike si dhe uljen e borxhit publik dhe deficitit.

Edhe pse e frenuar së fundmi, rritja ekonomike nuk ka ndalur, por agjencitë e vlerësimit shikojnë si rreziqe të rritjes së mëtejshme ekonomike të Shqipërisë, luhatjet klimatike.

Në njoftimin e saj për këtë vlerësim, Ministria e Financave thotë se, pavarësisht se situata e fundit politike identifikohet si një rrezik për perspektivën ekonomike dhe për ritmin e implementimit të reformave strukturore, qeveria shqiptare do të vijojë me agjendën e reformave në afatin e mesëm, në linjë me aspiratat për integrimin në BE.

Agjencitë parashikojnë vazhdimin e konsolidimit fiskal dhe vijimësinë e uljes së borxhit publik, në përputhje edhe me rregullin fiskal, si dhe vlerësojnë pozitive përpjekjet e autoriteteve për të përmirësuar administrimin e të ardhurave.

Vlerësohet se cilësia e institucioneve shqiptare është përmirësuar në vazhdën e rrugëtimit drejt BE, gjë e cila mbështet perspektivën pozitive të rritjes afatmesme. Progres i dukshëm është bërë në reformën në drejtësi, e cila po vijon, si dhe në luftën kundër ekonomisë informale, korrupsionit dhe krimit të organizuar,-thuhet në raport./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!