Vlera e rindërtimit të Teatrit Kombëtar, Goci: Ofendim i kauzës, nëse e përkthenim në politikë

schedule08:09 - 18 Qershor, 2020

schedule 08:09 - 18 Qershor, 2020

Në një intervistë në “ABC e mëngjesit” pedagogu, Ervin Goci ka folur për protestën e realizuar 1 muaj pas shembjes së Teatrit Kombëtar.

Pedagogu u shpreh se protesta ka vazhduar në qytete të ndryshme.

“Tani nuk flitet vetëm për kauzën e teatrit. Teatrin e shembi një krizë e sistemit politik. Ndihet që njerëzit kanë një interes për një ndryshim politik. Pa një ndryshim të sistemit politik, nuk ka për të ndodh asgjë. Qytetarët duan një ndryshim rrënjësor, me bazë. Kjo është ajo që më kanë transmetuar”, tha Goci.

Gjatë intervistës me gazetarin Enkel Demi, pedagogu u shpreh se nuk është folur që protestuesit për mbrojtjen e teatrit të përktheheshin në formacion politik.

“Aleanca ka qenë për mbrojtjen e teatrit. Do të ishte ofendimi më i rëndë që ne mund ti bënim kësaj kauze, nëse ne e përkthenim në politikë. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka njerëz që kanë bindjet e tyre politike. Duhet një ndryshim radikal politik që teatri të rindërtohet. Me shembjen e teatrit edhe mënyra se si duhet të vazhdojë kauza duhet ndryshuar.

Nëse teatrit Kombëtar nuk rindërtohet shoqëria nuk ka për të filluar rikompozimin. Është një fillesë e jashtëzakonshme për të rithemeluar këtë shoqëri. Çdo lloj formacioni politik që nuk e vë teatrin në ballë nuk ka asnjë mundësi të fitojë besimin. Duhet një dosje e plotë e Teatrit Kombëtar. Për atë dramë dhe për vlera simbolike mendoj që çështja e teatrit duhet të jetë në ballë”, tha Goci./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!