VMRO DPMNE shpalli fitoren pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut që u mbajtën të dielën e 19 tetorit.
Partia në pushtet do të ketë 34 kryetarë komunash nga 80 gjithsesj dhe pret që në raundin e dytë të fitojë dhe 19 të tjera, përfshirë dhe kryeqytetin Shkup, ku kandidati I saj Orce Gjeorgjievksi është në epërsi.
Kryeministri Hristjan Mickoski u shpreh i kënaqur nga fitorja, pasi pasi numri i përgjithshëm i votave të fituara është më i madh se në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mëparshme.
Nga ana tjetër Lidhja Socialdemokrate, partia opozitare pësoi humbjen e radhës, pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të vitit të kaluar.
LSDM do të ketë kryetarë komunash në Kriva Pallankë, Bogdanc dhe Krivogashtan, ndërsa pret të kalojë në rundin e dytë në rreth njëzet komuna të tjera.
Ndërkohë sa i përket partive shqiptare, kandidati i VLEN, Izet Mexhiti, fitoi bindshëm në Çair, ndërsa Bilal Kasami në Tetovë. Po ashtu fitore ka shpallur edhe Daut Beqiri në Haraçinë, Daut Memishi në Tearcë, Muhamed Elmazi në Saraj.
Ndërkohë Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim, e udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim, fitoi zgjedhjet për kryetarë komunash në Gostivar, Likovë, Çashkë dhe Plasnicë që në rundin e parë.
Dita e zgjedhjeve kaloi e qetë dhe pa shkelje të mëdha, me një pjesëmarrje mbi 46%. Sipas listës zgjedhore, të drejtë vote kishin mbi 1 milion e 800 mijë qytetarë.
Në këto zgjedhje morën pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 kandidatë të pavarur.
Raundi i dytë mbahet më 2 nëntor, në komunat ku asnjë kandidat për kryetar komune nuk ka fituar më shumë se 50 për qind të votave në raundin e parë. Dy kandidatët me më shumë vota kalojnë në raundin e dytë./abcnews.al

