Kryeparlamentarja Vjosa Osmani u bën thirrje deputetëve që të mos e votojnë nesër rrezimin e Qeverisë së Albin Kurtit.
Ajo thotë se nuk do të mund të bëhet një qeveri tjetër legjitime me partitë që LDK-ja ka premtuar se nuk do të bashkëpunojë.
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani thotë se seanca për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë është caktuar me votat e shumicës së kryesisë së Kuvendit, ndërsa ajo ka votuar kundër mbajtjes së seancës të cilën e ka kërkuar LDK.
“Keqkuptimet brenda qeverisë kanë ndodhur kur unë s’kam qenë aty, por përkundër të gjithave kam besuar dhe besoj që ka pas hapësirë që të gjejnë zgjidhje. Që mos të shtohet edhe barra politike në këtë situatë, në një kohë kur qytetarët po kalojnë një periudhë të rëndë. Absolutisht nuk e përkrahi këtë mocion dhe i bëj thirrje deputetëve që mos ta përkrahin. As s’është në kohën e duhur dhe as s’do t’i prodhojë një qeveri tjetër”, ka thënë ajo.
Seanca për votimin e mocionit ndaj qeverisë së Kurtit do të mbahet nesër në orën 11:00. /abcnews.al