Vjedhje votash brenda PD/ Katër kandidatë të Berishës ankohen në KQZ, Doktori: I mbështesim

schedule15:20 - 30 Maj, 2025

schedule 15:20 - 30 Maj, 2025

Farsën që kërkon në derën e tjetrit, doktorit po i troket në shtëpinë e tij. Katër kandidatë humbës të PD, të cilët s’kanë çfarë humbasin më, pa pyetur Berishën, kanë kërkuar rinumërim të votave në Tiranë e Durrës.

Ata nuk kanë pretendime për votat e partisë, por akuzojnë se u janë vjedhur votat brenda llojit. Berisha pati dyshime edhe tek përgjigja e vet.

“Kjo që thoni ju, 2-3-4-5 verifikime, parregullsi, këto nuk hedhin asgjë poshtë, as në këto që themi, përkundrazi. Në qoftë se ka pasur njerëz të pandërgjegjshëm, ata do identifikohen dhe do mbahet qëndrim ligjor. Këtu ne nuk kemi dy standard.

E qartë përgjigja?

Nuk e di sa janë, se ne edhe para dy ditësh, kam përsëritur udhëzimin që çdo kandidat që kërkon transparencë, t’i jepet mbështetje nga partia.”

Por, doktori po e sheh se kazani brenda të vetëve po zien. Ai u kërkoi të durojnë edhe pak.

“Ne po operojmë, për shembull ne sot ne shpërndajmë raportin e përditësuar paraprak, i cili në fakt me terma të tjerë është një lloj raporti i ndërmjetëm. Por për të mbajtur nonstop të informuar, ne kemi operuar me raportin paraprak, tani kemi përgatitur raportin e ndërmjetëm dhe raportin përfundimtar do përpiqemi ta përgatisim midis datës 10 dhe 15 qershor me çdo kusht.”

Por karrigia e doktorit nuk po lëkundet. Sepse, sipas tij, problemet njerëzore janë asgjë para misioneve hyjnore.

“A e kupton se në çfarë pozicioni jam unë sot? Ky është një mision për mua. Unë e kam theksuar se ky është një mision po aq i rëndësishëm në mos më i rëndësishëm se ai i vitit 1991.

Po mbroj votën e humbur. Ç’po përdor unë këtu? Po mbroj votën nga një botë e stërfuqishme krimi. Nga një shtet i shkrirë në një me kartelet e drogës

Unë që në vitin 2021 kam shkruar për tjetrin (Bashen), se fillimisht kjo dhe pastaj analiza, unë nuk kam dy standarde. Unë jam koherent në qëndrimet që mbaj. Jam vërtet shumë koherent, nuk lëviz unë.”

Por, Berisha në gjithë këtë furtunë, e ka një vetëngushëllim.

“Edi Rama, plasi që të marrë një urim. Kudo u çon deputetëve të huaj, bëjeni një urim, nisni një urim. Po, mos më bëni të them emra këtu. Unë nuk hyj në korrespondencën private, nuk prish privacinë. Por nuk po i vjen askush.”

Por kujdes, doktorit nuk i ec fjala për veten, por për të tjerët.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!