Vjedhja në Mallakastër, pronari i banesës: Na ndenjën me thika mbi kokë

schedule10:20 - 24 Mars, 2019

schedule 10:20 - 24 Mars, 2019

Dy të rinj janë vënë në prangat e policisë, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim për vjedhjen me dhunë të një banese në fshatin Greshicë të Mallakastrës. Ngjarja ka ndodhur me 22 Mars, ku të tre personat të maskuar kishin hyrë në banesë dhe nën kërcënimin e armëve të ftohta kishin dhunuar familjarët dhe u kishin marrë një sasi lekësh.

Të arrestuarit si autorë të vjedhjes janë Klejdi Saliaj, 21 vjeç dhe Arber Muçaj ,22 vjeç, të dy banues në Panahor dhe të dënuar më parë për vjedhje me armë në Greqi. Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër.

I zoti i shtëpisë, Përparim Merdani tregoi për ABC News se si autorët i kishin drejtuar thikën në kokë për t’u marrë paratë.

“Ata vijnë. Ulërin mbesa. Pa u ngritur unë erdhën dhe drejtuan thikat te kokat. “Mos lëvizni. Bjerna çelsat”. Aty ishin 1 milion e 700 mijë lekë. Ia dhamë çelsin. Vajti e shqeu derën, i mori paratë. Kishin një shkop gome, një kriket që hapen makinat. Kishin dhe tre thika. Na ndenjën me thika mbi kokë”, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!