“Vizita e Von der Leyen, tregues i rëndësisë së Ballkanit Perëndimor”, Gjipali: Shqipëria përparon drejt anëtarësimit

schedule18:35 - 13 Tetor, 2025

schedule 18:35 - 13 Tetor, 2025

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kreun e qeverisë Edi Rama, Von der Leyen theksoi “përparimin rekord të vendit tonë në 3 vitet e fundit“.

Eksperti i çështjeve të integrimit, Gledis Gjipali, në një intervistë për emisionin “Tirana Live” në ABC News, vlerësoi vizitën e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si një tregues të qartë të rëndësisë që Bashkimi Europian i kushton Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, forumi i zhvilluar së fundmi kishte një peshë të veçantë, pasi u përqendrua në temat kyçe të integrimit dhe zhvillimit ekonomik. Gjipali theksoi rëndësinë e projekteve konkrete që u diskutuan në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit europian, duke vënë në dukje se Shqipëria ka bërë përparime të ndjeshme në këtë proces, veçanërisht me hapjen e kapitujve të anëtarësimit në një kohë rekord.

“Turi i Von der Leyen në vetvete është i rëndësishëm, sepse tregon edhe një herë rëndësinë e Ballkanin Perëndimor që ka për Bashkimin Europian. Vetë forumi sot kishte një rëndësi të shtuar, për faktin që diskutimi i sotëm ishte për ekonominë dhe anëtarësimin. U fol konkretisht për projekte dhe kontrata që vijnë në të mirën e vendin dhe politikën rajonale. E rëndësishme është që takimet janë të vazhdueshme dhe intensive, nuk ka rëndësi nisja nga Tirana. Takimi tregon suksesin e Shqipërisë në procesin e integrimit, ku hapja e kapitujve u hap në kohë rekord. U vlerësua dhe aspirata e Shqipërisë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian deri në vitin 2030”, tha eksperti.

Kujtojmë se turin ballkanik, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen e nisi sot, 13 tetor, në Tiranë. Fillimisht u prit nga Presidenti Bajram Begaj, ndërsa takoi edhe kryeministrin Edi Rama. Që kur ka marrë këtë detyrë, Von der Leyen e ka shprehur se është e përkushtuar ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian, veçanërisht me shtetet e Ballkanit Perëndimor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!