“Vizita e Erdogan është konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera”, Krisafi: Këndvështrimet e ndryshme mbi luftën në Gaza, asnjë pengesë

schedule18:31 - 10 Tetor, 2024

schedule 18:31 - 10 Tetor, 2024

Eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare, Ledion Krisafi e ka konsideruar vizitën e presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, një konfirmim të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.

Në një lidhje me Skype për “Tirana Live”, ai ka thënë se këndvështrimet e ndryshme mbi luftën në Gaza nuk janë pengesë.

Sipas Krisafit, kryeministri Rama është treguar më pragmatik se paraardhësit e tij në lidhje me Turqinë.

 “Vizita është një konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera që ka Shqipëria me Turqinë prej shumë vitesh tashmë, nuk është se kishte ndonjë gjë të re apo befasi në vizitë. Është një vazhdimësi për marrëdhëniet që janë ndërtuar sidomos gjatë 11 vjetëve të fundit. Ka pasur një dallim cilësor me qeverisjen e mëparshme, ku marrëdhëniet janë thelluar dhe janë bërë më të shumëllojshme. Kryeministri Rama është treguar më pragmatik se paraardhësit e tij në lidhje me Turqinë. Është munduar të marri maksimumin e mundshëm, duke qenë se tema si ajo e Gylenistëve u përmend edhe gjatë vizitës, është përmendur vazhdimisht sa herë flet ambasadori turk në Tiranë, përmend gjithmonë luftën gjatë gylenistëve, gjë që tregon se Shqipëria në këndvështrimin e Turqisë nuk duket se ka bërë maksimumin që mund të bëjë në këtë çështje, por është një çështje që nuk ka krijuar pengesë në marrëdhënie mes dy vendeve.

E vetmja çështje e nxehtë që pash pak qendrime të kundërta ishte ajo në lidhje me Izraelin, por nuk pash nga presidenti turk ndonjë përpjekje për të imponuar mënyrën e të parit të gjërave, fjalët që përdori ishin më shumë këshilluese. Gjë që tregon që është një çështje që nuk ka ndonjë pengesë mes dy palëve”, u shpreh ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!