Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia ka njoftuar masat e reja që do të hynë në fuqi nga e hëna për parandalimin e përhapjes së Covid-19 në vend.
Gjatë konferencës për media, Vitia ka bërë të ditur se do të lehtësohen disa nga masat e marra para 15 ditëve kur në vend numëroheshin më shumë të infektuar ndërsa theksoi se në tri ditët e fundit ka pasur më shumë të shëruar sesa të infektuar me virusin korona.
Ministri Vitia u shpreh:
“Me ardhjen e pranverës e ngrohjen e motit, u liruam pak para kohe dhe i neglizhuam disa nga masat dhe patëm një numër më të lartë të të infekturve. Me masat e reja konsiderojmë të lirojmë ekonominë, por këto masa mund të jenë të suksesshme vetëm me bashkëpunimin tuaj. Hapjen e ekonomisë dhe heqjen e kufizimeve ta bëjmë në katër faza., nga 4 maji, deri më 18 maj, ku gjatë kësaj periudhe, do të zgjatet edhe orari i lëvizjes do të jetë nga 3 orë, në dy orare të ndryshme. Do të hapet ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve pjesërisht, tregtia me pakicë pjesërisht. Duhet ta kemi parasysh nga faza e parë në të dytën dhe kthimi potencial nga e dyta në të parën varet nga qytetarët. Nëse relaksohemi dhe infektimet fillojnë me shpejtësi, atëherë do të na duhet të kthehemi prapa.”