Viti i ri akademik, studentët larg shkencave ekzakte dhe gjuhëve të huaja

schedule13:19 - 15 Tetor, 2018

schedule 13:19 - 15 Tetor, 2018

Programe të reja që lidhen me turizimin janë hapur në Universitetet e qyteteve kryesore të vendit. Kurse interesi për shkencat ekzakte, gjuhët e huaja dhe mësuesisë ka rënë pothuajse në zero.

Këtë vit akademik në Gjirokastër ka më shumë studentë se vitin e kaluar, por aspak interes për programet e mësuesisë. Rrezikohet mbyllja e degëve të gjuhëve të huaja, matematikës, fizikës dhe degë të tjera. Interes është treguar për programet profesionale, degën e ekonomikut dhe të infermierisë. Pesë programe të reja studimi profesionale 2-vjeçare janë ato që mbajnë shpresën e një të ardhme më të sigurt të këtij universiteti me histori 50 vjeçare.

Bektash Mema, rektor, Gjirokastër: “Bëhen fjalë për 3-4 programe, në asnjë mënyrë nuk duhen konsideruar si programe të mbyllura, sepse ligji i arsimit të lartë jep një afat 2 vjeçar për programet e studimit. Nëse pas 2 vitesh nuk kanë numër studentësh ose nuk kanë prurje atëherë shtrohet problemi i mbylljes së tyre.”

Në Universitetin e Vlorës këtë vit akademik ka më pak studentë se vitet e kaluara. Regjistrimet kanë qenë në kuotën 20 për qind më pak. Tre degët e studimit, matematikë, fizikë, dhe kimi këtë vit rrezikojnë të mbyllen. Interesat e pakët ka patur edhe për degën e gjuhëve të huaja dhe pse regjistrimet vazhdojnë deri në 25 nëntor. Sot në auditorët e Universitetit të Vlorës u ulën për herë të parë një mijë studentë. Universiteti i Korçës Fan Noli ka hapur dyert për më tepër se 5 mijë studentë. Afrohen 56 programe studimi, 15 prej të cilave hapen për herë të parë. Studentët e fakultetit të mësuesisë, që kanë mesatare mbi 9, do të trajtohen me bursa nga qeveria, ndërsa nga të ardhurat e universitetit, do të jepen bursa për studentët e vitit të parë të Fakultetit të Bujqësisë.

Ali Jashari, rektor i universitetit Fan Noli: “Me mbarimin e procesit të studimit në të gjitha raundet ne synojmë të kemi 250 studentë më shumë se vitin e kaluar akademik. Me programet e ciklit të parë ose të dytë ose 5000 studentë në shkallë universiteti.”

Në 43 programe studimi, regjistrimi në mjekësi ka qenë 100 për qind në Universitetin e Elbasanit me 12 mijë studentë. Por programet e gjuhëve të huaja rrezikojnë të mbyllen, ndërsa janë hapur 6 programe të reja 2 vjeçare që lidhen me turizmin, profesione shumë të kërkuara ne tregun aktual./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!