Atalanta ka bërë një vit 2019 të shkëlqyer në Serie A dhe në Champions League. Të besuarit e Gasperinit u renditën në vend të tretë në Serie A sezonin e shkuar, duke u kualifikuar në Champions League.
Edhe në kompeticionin më të rëndësishëm për klube, zikaltërit bergameskë arritën të kualifikoheshin nga faza e grupeve, së bashku me Manchester Cityn.
Lideri i vërtetë i kësaj skuadre, është padiskutim kapiteni Alejandro “Papu” Gomez. Sulmuesi argjentinas foli për Sky Sport për arritjet e ekipit të tij gjatë vitit të 2019, që është në ditët e fundit të tij: “Nëse mendojmë vetëm se ku ishim disa vite më parë, besoj se viti 2019 ishte me të vërtetë i çmendur.
Ne kaluam një vit fantastik dhe arritëm objektiva që dukeshin të paimagjinueshëm. Jam i sigurt që viti 2020 do të na dhurojë edhe shumë emocione.”
Gomez u pyet për tre golat e tij kundër Sassuolos, Dinamo Zagrebit dhe Milanit: “Ata ishin gola të mrekullueshëm, më kujtuan kur isha fëmijë dhe luaja vetëm për argëtim. Por tani unë duhet të përqendrohem në fushë dhe të jap më të mirën për ekipin tim”, përfundoi Papu Gomez./abcnews.al